HIDROELEKTRANA

Muzeu i Hidroelektranës në Prizren është një institucion i dedikuar për ruajtjen, promovimin dhe edukimin

mbi historinë e energjisë së ripërtëritshme dhe zhvillimin teknologjik në Kosovë.

Historiku i Muzeut të Hidroelektranës së Prizrenit

Në ambientin piktoresk të Grykës së Lumbardhit, rreth 2.5 kilometra në lindje të qytetit të Prizrenit, gjendet ndërtesa historike e Hidroelektranës. Kjo hidroelektranë, e ndërtuar gjatë viteve 1926-1928, përfaqëson një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë industriale në Kosovë. Projekti u realizua me kontributin e qytetarëve dhe financimin përmes kredive bankare, ndërsa ndërtimi u realizua nga një kompani austriake, e cila në atë kohë ishte e specializuar në ndërtimin e objekteve të këtij lloji.

Ndërtesa përmbante elemente të avancuara për kohën, duke përfshirë turbinat e ujit, pajisjet për filtrimin dhe pastrimin e ujit nga mbeturinat, kanalin që drejtonte rrjedhën e ujit deri tek turbinat, si dhe gjeneratorin me fuqi 160 KW.

Me kalimin e kohës dhe me rritjen e kërkesës për energji elektrike, në vitin 1936 u instalua një gjenerator i dytë me të njëjtin kapacitet për të rritur prodhimin dhe furnizimin e qytetit me energji.

Transformimet e ndërtesës dhe funksioni

Muzeu u hap më 1979, duke përfshirë ekspozita të ndryshme si: stabilimentet e centralit, dy gjeneratorët origjinalë, materiale arkivore mbi ndërtimin e hidroelektranës, harta gjeografike të nyjeve të prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike në Kosovë, fotografi historike të elektricistëve të parë të Prizrenit, si dhe eksponate të ndryshme nga elektroekonomia e asaj kohe.

Megjithatë, nga viti 1981 e deri në vitin 2011, muzeu mbeti i pa mirëmbajtur dhe pa ndonjë funksion aktiv.

Në vitet 2012-2013 dhe përsëri në vitet 2024-2025 u kryen disa ndërhyrje konservuese për ruajtjen e ndërtesës, por që nga 2014, objekti vazhdon të qëndrojë i mbyllur, pa ndonjë funksion të caktuar